Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) paralajmëron nga dy lloje njerëzish prej banorëve të zjarrit, që nuk i ka parë dhe që nuk ishin të pranishëm në kohën e tij, por që do të shfaqeshin më vonë. Lloji i parë: disa njerëz që mbajnë me vete kamxhikë të gjatë si bishtat e lopëve, me të cilët godasin njerëzit. Bëhet fjalë për policinë dhe përkrahësit e tiranëve, të cilët i dhunojnë njerëzit padrejtësisht. Lloji i dytë: disa femra, të cilat do ta heqin prej trupit të tyre rrobën e ndershmërisë dhe të turpit, që e karakterizon femrën zakonisht. Ato janë përshkruar si të veshura në të vërtetë dhe të zhveshura nga ana morale, ngase rrobat që ato veshin janë të holla dhe të tejdukshme dhe e mbulojnë trupin pjesërisht. Ato e bëjnë këtë për të shfaqur bukurinë e tyre. Ato i lakojnë zemrat e burrave me veshjen dhe kapardisjen e tyre në ecje, duke lëkundur supet e tyre. Kësisoj, ato i tërheqin të tjerët drejt devijimit në të cilin gjenden vetë. Prej tipareve të tyre është se kokat e tyre janë si gunga e anuar e devesë; ato i zmadhojnë kokat e tyre, duke i lidhur me mbulesa ose copa pëlhure. Përngjasimi me gungat e deveve lidhet me flokët e tyre të lartë dhe gërshetat e tyre që ngrihen mbi kokat e tyre, duke i lidhur ato në një mënyrë që të anohen nga njëra anë e kokës, siç anohet gunga e devesë. Ato femra që i kanë këto tipare janë pjesë e këtij kërcënimi të ashpër; që nuk do të mund të hyjnë në Xhenet dhe nuk do të mund ta nuhasin aromën e tij, edhe pse aroma e tij nuhatet nga shumë larg.