Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) shpjegon se të gjithë besimtarët janë të mirë, por besimtari i fortë në besimin, vendosmërinë dhe mirëqenien e tij dhe në faktorët e tjerë të fuqisë, është më i mirë dhe më i dashur për Allahun e Madhëruar se besimtari i dobët. Mandej, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) e porosit besimtarin që të përvetësojë shkaqet e gjërave të dobishme për të, të kësaj jete dhe të jetës tjetër, duke u mbështetur tek Allahu i Madhëruar dhe duke kërkuar ndihmë nga Ai. Pastaj ai (paqja qoftë mbi të!) ia ndalon besimtarit paaftësinë, përtacinë dhe dembelizmin në gjërat që janë të dobishme për të në të dy botët. Kur besimtari e jep mundin e tij në bërjen e diçkaje, i përvetëson shkaqet e duhura, mbështetet tek Allahu i Madhëruar dhe kërkon mirësinë prej Tij, atëherë pas gjithë kësaj, ai duhet t'ia dorëzojë të gjithë çështjen e vet Allahut të Madhëruar dhe ta dijë se zgjedhja e Allahut është më e mira për të. E nëse pas kësaj, atë e godet ndonjë fatkeqësi, të mos thotë: "Sikur të kisha vepruar kështu, do të kishte ndodhur kështu e ashtu!" Sepse fjala “sikur” i hap derën punës së shejtanit dhe e shtyn njeriun që të kundërshtojë kaderin dhe të brengoset për të kaluarën. Por, le të thotë, i nënshtruar dhe i kënaqur: "Caktimi i Allahut, Ai bën ç'të dëshirojë!" Andaj, ajo që ka ndodhur, ka ndodhur në përputhje me dëshirën e Allahut. Ai bën ç'të dojë, askush nuk e kthen mbrapsht vendimin e Tij dhe askush nuk e ndryshon dot gjykimin e Tij.