Profeti ﷺ në këtë hadith e sqaron se të gjitha veprat llogariten me nijet. Ky vendim është i përgjithshëm për të gjitha adhurimet dhe transaksionet. Kushdo që me veprën e tij synon ndonjë dobi, nuk do të marrë asgjë tjetër përveç asaj dobie dhe nuk do të shpërblehet për të. Ndërkaq, kushdo që me veprën e tij synon t'i afrohet Allahut të Lartësuar, do ta marrë shpërblimin për veprën e tij, edhe nëse është vepër e zakonshme, siç janë ngrënia e pirja. Pastaj Profeti ﷺ solli një shembull për të treguar ndikimin e nijetit në vepra, pavarësisht se ajo është e njëjtë në formën e dukshme. Kështu, ai sqaroi se, kushdo që ka për qëllim me hixhretin (shpërnguljen) e largimin nga vendlindja kënaqësinë e Zotit të vet, atëherë hixhreti i tij është hixhret sheriatik dhe i pranuar, për të cilin shpërblehet, për shkak të sinqeritetit të tij. Ndërkaq, kushdo që me hixhretin e tij synon ndonjë dobi të kësaj bote, si: para, pozitë, tregti ose grua, i tilli nuk do të përfitojë nga hixhreti i tij gjë, përveçse atë dobi që ka pasur për qëllim dhe nuk do të ketë hise nga shpërblimi.