Profeti ﷺ i urdhëroi muslimanët me shtatë gjëra dhe i ndaloi nga shtatë të tjera: Ato që i urdhëroi janë: së pari, vizita e të sëmurit; së dyti, përcjellja e xhenazes, pjesëmarrja në namazin e të vdekurit, varrosja e tij dhe lutja për të; së treti, lutja për atë që teshtin dhe e falënderon Allahun duke i thënë: “Allahu të mëshiroftë”; së katërti, përmbushja e betimit të atij që betohet dhe besimi i tij, domethënë se nëse dikush betohet për një çështje dhe ti je në gjendje ta bësh atë të jetë e vërtetë, atëherë vepro ashtu; në mënyrë që të mos e detyrosh të shlyejë betimin e tij; së pesti, mbështetja e të shtypurit, duke e ndihmuar dhe duke penguar çdo dëm që i bëhet nga shtypësi, sipas mundësisë; së gjashti, përgjigjja ndaj ftesës për ushqim, si dasma, akika (therja e kafshës pas lindjes së fëmijës) ose raste të tjera të ngjashme; së shtati, dhënia e selamit, përhapja dhe kthimi i tij. Ndërsa ato që i ndaloi janë: së pari, mbajtja e unazave të arit dhe marrja e tij si zbukurim; së dyti, pirja në enë argjendi; së treti, ulja mbi mejathir, që janë shtroja prej mëndafshi që vendosen mbi shalën e kalit ose të devesë; së katërti, veshja e një rrobe prej liri të përzier me mëndafsh, e quajtur “kasij”; së pesti, veshja e mëndafshit; së gjashti, veshja e istabrakut, që është mëndafsh i trashë; dhe së shtati, veshja e dibaxhit, që është lloji më i mirë dhe më i çmuar i mëndafshit.