Nëna e besimtarëve, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregoi se gjëja e parë me të cilën filloi shpallja për të Dërguarin e Allahut ﷺ ishin ëndrrat e vërteta në gjumë. Nuk ndodhte që të shihte ndonjë ëndërr pa iu realizuar qartë, si drita e agimit. Pastaj iu bë e dashur vetmia. Ai vetmohej në shpellën Hira, ku adhuronte Allahun net me radhë, para se të kthehej te familja e tij. Për këtë merrte me vete ushqimin e nevojshëm. Më pas kthehej te nëna e besimtarëve, Hadixhja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe furnizohej sërish për po aq net. Kështu vazhdoi derisa, ndërsa ishte në shpellën Hira, i erdhi urdhri i vërtetë. Atëherë i erdhi meleku Xhibrili (alejhi selam) dhe i tha: "Lexo!" Ai ﷺ i tha: "Nuk di të lexoj." Pastaj, siç tregoi vetë Profeti ﷺ: "Ai më kapi, më shtrëngoi fort, derisa arrita kufirin e lodhjes dhe të mundimit, pastaj më lëshoi dhe më tha: "Lexo!" I thashë: "Nuk di të lexoj." Më kapi për herë të dytë dhe më shtrëngoi fort, derisa arrita kufirin e lodhjes dhe të mundimit, pastaj më lëshoi dhe më tha: "Lexo!" I thashë: "Nuk di të lexoj." Pastaj më kapi për herë të tretë, më shtrëngoi fort dhe, pasi më lëshoi, tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd, Që krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun prej një droçke gjaku. Lexo, se Zoti yt është më Bujari.” (El Alak, 1-3) I Dërguari i Allahut ﷺ u kthye me këto ajete, ndërsa zemra i rrihte fort nga frika e vdekjes. Hyri te bashkëshortja e tij, nëna e besimtarëve, Hadixhe bint Huvejlidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe tha: "Më mbuloni me rroba! Më mbuloni me rroba!" Ata e mbuluan me rroba, derisa iu largua frika. Pastaj i tregoi Hadixhes se çfarë kishte ndodhur dhe i tha: "U frikësova se mos vdes." Hadixhja i tha: "Kurrsesi! Pasha Allahun, Allahu nuk do të të poshtërojë kurrë. Ti i mban lidhjet farefisnore, ndihmon të dobëtin që nuk është në gjendje t'i kryejë vetë punët e tij, u jep të varfërve skamnorë atë që nuk e gjejnë te të tjerët, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që e ka goditur fatkeqësia." Pastaj Hadixhja e shoqëroi te Veraka ibn Neufel ibn Esed ibn Abduluzai, djali i xhaxhait të saj. Ai ishte një njeri që kishte braktisur besimin e kohës së injorancës dhe ishte bërë i krishterë. Shkruante nga Inxhili në gjuhën hebraike aq sa kishte dashur Allahu. Ishte plak i shtyrë në moshë dhe e kishte humbur shikimin. Hadixhja i tha: "O djali i xhaxhait tim, dëgjoje nipin tënd." Veraka i tha: "O nipi im, çfarë ke parë?" I Dërguari i Allahut ﷺ i tregoi atë që kishte parë. Atëherë, Veraka tha: "Ky është Xhibrili, të cilin Allahu e zbriti te profeti Musa (alejhi selam). Ah, sikur të isha ende i ri e i fuqishëm! Ah, sikur të isha gjallë kur populli yt do të të dëbojë!" Profeti ﷺ tha: "A do të më dëbojnë vërtet?" Ai iu përgjigj: "Po. Nuk ka ardhur kurrë ndonjë njeri me atë që ke ardhur ti, veçse është armiqësuar dhe është keqtrajtuar. Nëse e arrij atë ditë, do të të ndihmoj fuqishëm." Nuk kaloi shumë kohë dhe Veraka vdiq, ndërsa shpallja u ndërpre për një periudhë kohe.