Profeti ﷺ në këtë hadith e ka porositur muslimanin që të sillet mirë me vëllain e tij musliman dhe i ka sqaruar disa prej detyrimeve dhe mirësjelljeve që i takojnë ndaj tij; disa prej të cilave janë: Porosia e parë: Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit! Pra, të mos dëshirojë ndonjëri prej jush zhdukjen e mirësisë së tjetrit. Porosia e dytë: Mos e mashtroni njëri-tjetrin! Duke e ngritur çmimin e mallit pa pasur për qëllim ta blini atë; por vetëm për t’i sjellë dobi shitësit ose për t’i bërë dëm blerësit. Porosia e tretë: Mos u urreni njëri-tjetrin! Pra, mos ia dëshironi të keqen tjetrit, e kjo është e kundërta e dashurisë; përveçse kur urrejtja është për hir të Allahut të Lartësuar, atëherë ajo është obligim. Porosia e katërt: Mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit! Duke e shmanguar vëllain e tij, duke e injoruar dhe duke e braktisur. Porosia e pestë: Mos ndërhyni në shitblerjen e tjetrit! T’i thotë dikush blerësit të një malli: unë kam si malli i tij, por me çmim më të lirë; ose kam mall më të mirë se i atij me të njëjtin çmim. Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ dha një porosi gjithëpërfshirëse dhe tha: "Bëhuni vëllezër, duke lënë mënjanë gjërat e ndaluara që u përmendën, dhe duke treguar dashuri, butësi, mëshirë, mirësjellje e ndihmë në të mira, së bashku me pastërtinë e zemrave dhe këshillën e sinqertë në çdo gjendje. Disa nga gjërat që rezultojnë nga kjo dashuri, janë: Të mos i bëjë padrejtësi dhe të mos e sulmojë vëllain e tij musliman. Të mos e lërë vëllain e tij musliman t'i bëhet padrejtësi, duke e braktisur në një rast kur ai është në gjendje ta ndihmojë dhe t’ia largojë padrejtësinë. Të mos e përbuzë, të mos ndihet më i lartë se ai dhe të mos e shikojë me sy përçmimi dhe përbuzjeje; sepse kjo buron nga mendjemadhësia që është në zemër. Pastaj Profeti ﷺ e bëri të qartë tri herë se devotshmëria (frika ndaj Allahut) është në zemër. Kush ka në zemrën e tij devotshmëri, që përfshin sjelljen e mirë, frikën ndaj Allahut dhe ndjenjën se Ai të vëzhgon, nuk e përbuz asnjë musliman. Atij i mjafton si veti e keqe dhe ves përbuzja e vëllait të tij musliman; e kjo është për shkak të mendjemadhësisë që ka në zemrën e tij. Pastaj Profeti ﷺ e theksoi atë që u përmend më herët, duke thënë se çdo musliman ndaj muslimanit tjetër e ka të paprekshëm: gjakun e tij; që të mos i bëhet padrejtësi me vrasje apo me diçka më të vogël se ajo, si plagosje, rrahje e të ngjashme; pasurinë e tij; që të mos i merret pa të drejtë; dhe nderin e tij; që të mos fyhet në veten e tij ose në prejardhjen e tij.