Profeti ﷺ në këtë hadith tregon se Allahu i Lartësuar në hadith kudsij thotë: "Çdo vepër e birit të Ademit shumëfishohet: një e mirë shpërblehet dhjetëfish deri në shtatëqindfish, përveç agjërimit: ai është vetëm për Mua, pasi në të nuk ka hipokrizi, dhe Unë jam që shpërblej për të, duke e veçuar vetëm për Vete dijen për masën e shpërblimit dhe shumëfishimin e të mirave të tij." Pastaj tha: "agjërimi është mburojë" dhe mbrojtje, mbulesë dhe kështjellë e fortifikuar nga Zjarri, sepse është largimi nga dëshirat epshore dhe kryerja e mëkateve, kurse Zjarri është i rrethuar me dëshira epshore. "andaj, ditën që dikush agjëron, të mos thotë fjalë të ndyta" rreth marrëdhënieve intime dhe gjërave që i paraprijnë asaj, e as të mos flasë në mënyrë absolute asnjë fjalë të turpshme. "e të mos bërtasë", duke u zënë me të tjerët dhe duke bërë piskamë. "Nëse dikush e shan ose e sulmon", në Ramazan, le të thotë: "Unë jam agjërues!", ndoshta kjo do ta ndalojë atë. Por, nëse ai këmbëngul dhe nuk ndalet përveçse duke sulmuar seriozisht, atëherë (duhet) ta zmbrapsë me mjetin më të lehtë dhe më të butë, siç do të veprohej kundrejt një sulmuesi. Pastaj, Profeti ﷺ u betua në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i tij, se ndryshimi i erës së gojës së agjëruesit për shkak të agjërimit është më i këndshëm për Allahun në Ditën e Gjykimit sesa era e myshkut te ju dhe është më i shpërblyer sesa përdorimi i myshkut që rekomandohet për ditën e xhuma dhe për tubimet e diturisë, ku përmendet Allahu. Agjëruesi ka dy gëzime që i përjeton: kur të bëjë iftar, gëzohet për iftarin e tij, për shkak të largimit të urisë dhe etjes, pasi i është lejuar të prishë agjërimin, si dhe gëzohet për përfundimin e agjërimit dhe mbylljen e adhurimit, për lehtësimin që Zoti ia dha dhe për ndihmën për agjërimet e ardhshme. "dhe gëzohet kur ta takojë Zotin për agjërimin e tij”, për shkak të shpërblimit dhe sevapeve që do t'i marrë.