Ali ibn Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i dërgoi të Dërguarit të Allahut ﷺ nga Jemeni një copë ari në një trastë lëkure të regjur. Copa e arit nuk ishte pastruar ende nga dheu i saj. Profeti ﷺ ua ndau katër personave: Ujejne ibn Bedër Fezariut, Akra ibn Habis Handheliut, Zejd Hajl Nebhaniut dhe Alkame ibn Ulathe Amiriut. Një burrë prej shokëve të tij tha: "Ne kishim më shumë të drejtë për këtë sesa ata." Kjo i arriti Profetit ﷺ, i cili tha: “A nuk po më besoni, ndërkohë unë jam besniku i Atij që është mbi qiell? Mua më vjen lajmi nga qielli, mëngjes e mbrëmje.” Më pas, u ngrit një burrë me sy të futur brenda, me mollëza të dala e të larta, me ballë të ngritur, me mjekër të dëndur, por jo të gjatë, me kokë të rruar dhe me rrobën e poshtme të ngritur, e tha: "O i Dërguari i Allahut, kije frikë Allahun!", atëherë Profeti ﷺ tha: “Mjerë ti! A nuk jam më meritori nga banorët e Tokës që ta kem frikë Allahun?” Pasi që shkoi personi në fjalë, Halid ibn Velidi, tha: O i Dërguari i Allahut, a t'ia pres kokën? - “Jo, se ndoshta falet”, - tha Profeti ﷺ. - Halidi tha: "Sa e sa falës të namazit thonë me gjuhën e tyre atë që nuk e kanë në zemër!" - “Unë nuk jam urdhëruar t'i hap (t'i hulumtoj) zemrat e njerëzve e as t'i çaj barqet e tyre. Jam urdhëruar të gjykoj vetëm sipas asaj që e shfaqin.”, - tha Profeti ﷺ. Pastaj, e shikoi atë duke shkuar dhe shtoi: "Vërtet, nga pasardhësit e këtij njeriu dhe shokëve të tij, ose nga fisi i tij, do të dalin njerëz të shkathët në leximin e Librit të Allahut. Me zë të bukur, me gjuhët e tyre të njoma nga leximi i shpeshtë, por Kurani nuk do t'ua kalojë fytin që ta përthithin zemrat e tyre e t'i përmirësojë ato. Allahu as nuk do ta lartësojë e as nuk do ta pranojë atë. Ata do të dalin nga Islami me shpejtësi dhe lehtësi, ashtu siç kalon shigjeta tejpërtej gjahut." Dhe besoj se tha: "Nëse arrij shfaqjen e tyre kundër muslimanëve me shpatë, do t'i vras ata me një vrasje të ashpër, ashtu siç u vra, shfarros populli i Themudit."