Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Vini re! Kjo botë është e mallkuar dhe çdo gjë që është në të është e mallkuar, përveç përmendjes së Allahut, asaj që është në përputhje me të, dijetarit dhe kërkuesit të dijes.” Hasen - Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe
explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith tregoi se kjo botë dhe gjithçka që gjendet në të janë të urryera tek Allahu, të qortuara, të braktisura dhe të larguara nga mëshira e Tij. Edhe gjithçka që ndodhet në të është e braktisur dhe nuk meriton lavdërim, sepse kjo botë dhe çfarë ka në të e largojnë njeriun nga Allahu i Lartësuar dhe e shpërqendrojnë prej Tij. Përjashtim bën përmendja e Allahut dhe çdo gjë që është në përputhje me të dhe i ngjan asaj, të cilën Allahu e do, si edhe dijetari i thelluar në dijen fetare që ua mëson atë njerëzve, ose kërkuesi i kësaj dijeje.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Nuk lejohet të mallkohet bota në mënyrë të pakushtëzuar, sepse ka hadithe që e ndalojnë këtë. Megjithatë, lejohet të mallkohen ato aspekte të kësaj bote që e largojnë njeriun nga Allahu i Lartësuar dhe e shpërqendrojnë nga bindja ndaj Tij.
  • Çdo gjë në këtë botë është vetëm lojë dhe argëtim, përveç përmendjes së Allahut dhe asaj që është shkak ose ndihmë për të.
  • Ky hadith sqaron vlerën e dijes, të dijetarëve dhe të kërkuesve të dijes.
  • Ibn Tejmija ka thënë: “Ajo që është e qortuar nga kjo botë është çdo gjë e ndaluar, në çfarëdo forme qoftë, ose e lejuara kur merret për shtim pasurie dhe mburrje, ose fitohet për mburrje dhe polemikë. Këto janë gjëra të urryera për mendarët.”