Profeti ﷺ në këtë hadith ka sqaruar se çdo musliman i rritur dhe i përgjegjshëm duhet të japë sadaka për hir të Allahut të Lartësuar çdo ditë, për aq nyje sa gjenden në kockat e tij, si akt falënderimi ndaj Allahut për mirëqenien që gëzon. Allahu i bëri kockat e njeriut me nyja që ai të jetë në gjendje t'i hapë dhe t'i mbyllë. Dhe kjo sadaka arrihet nëpërmjet të gjitha veprave të mira dhe nuk kufizohet vetëm me dhënien e pasurisë. Disa nga këto vepra të mira janë: Nëse gjykon me drejtësi midis dy personave që janë në konflikt me njëri tjetrin është sadaka. Nëse e ndihmon të paaftin të hipë mbi kafshë (mjet transportues) ose t'ia ngjisësh plaçkat dhe sendet lart, është sadaka. Fjala e mirë, qoftë dhikër (përmendje e Allahut), qoftë lutje, përshëndetje etj, është sadaka. Çdo hap që e bën për të shkuar në namaz është sadaka. Largimi i një pengese nga rruga, prej së cilës dëmtohen të tjerët, është sadaka.