Profeti ﷺ iu drejtua njerëzve në Ditën e Çlirimit të Mekës dhe u tha: "O njerëz, Allahu e ka ngritur dhe larguar prej jush mendjemadhësinë e mburrjen me kohën e xhahilietit (kohën paraislame) dhe mburrjen me baballarët e dikujt. Njeriu ndahet në dy lloje: Ose besimtar i mirë, i devotshëm, i bindur, i cili e adhuron Allahun e Lartmadhëruar. Ky është i nderuar tek Allahu, edhe nëse nuk ka familje ose prejardhje fisnike te njerëzit. Ose është jobesimtar, i shthurur, i mjerë. Ky është i përçmuar tek Allahu e nuk vlen asgjë, edhe nëse është nga një familje fisnike, që ka status të lartë dhe autoritet. Të gjithë njerëzit janë bij të Ademit dhe Allahu e krijoi Ademin prej dheut, andaj nuk i takon dikujt që e ka origjinën prej dheut të jetë mendjemadh dhe ta pëlqejë veten. Argument për këtë janë fjalët e Allahut të Lartmadhëruar: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli e një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për të njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” (El Huxhurat, 13)