Profeti ﷺ në këtë hadith ia mësoi Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lutjet gjithëpërfshirëse, të cilat janë katër lutje: E para: Lutje gjithëpërfshirëse për çdo mirësi: "O Allah, e kërkoj prej Teje çdo të mirë, atë të menjëhershmen dhe të vonuarën, atë që e di", që ma ke mësuar "dhe atë që nuk e di" që është në dijen Tënde, o i Lartësuar! Në këtë lutje ka dorëzim të çështjes tek Allahu, i Gjithëdituri, i Mirinformuari dhe i Buti; kështu që Allahu i Lartësuar zgjedh për muslimanin atë që është më e mira dhe më e përsosura. "Dhe kërkoj mbrojtje", mbështetem dhe strehohem "tek Ti nga çdo e keqe, ajo e menjëhershmja dhe e vonuara, atë që e di dhe atë që nuk e di." E dyta: Kjo është një mbrojtje për muslimanin që mos t'i tejkalojë kufijtë në lutje. "O Allah, e kërkoj prej Teje", të lus për "çdo të mirë që ta ka kërkuar robi dhe Profeti Yt", Muhamedi ﷺ "dhe kërkoj mbrojtje tek Ti", strehohem dhe mbështetem të më ruash "nga çdo e keqe prej së cilës të ka kërkuar mbrojtje robi dhe Profeti Yt." Kjo është një lutje dhe kërkesë drejtuar Allahut që t’i japë lutësit nga ato që i ka kërkuar dhe e ka lutur për vete Profeti Muhamed ﷺ, pa përmendur llojet e veçanta të lutjeve që ai ﷺ i ka bërë. E treta: Kërkesa për hyrjen në Xhenet dhe largimin nga Zjarri, e cila është dëshira e çdo muslimani dhe synimi i veprave të tij. "O Allah, e kërkoj prej Teje Xhenetin" dhe që të shpëtoj në të "...dhe çdo gjë që të afron tek ai, qoftë fjalë apo vepër" e mirë që të kënaq Ty, "...dhe kërkoj mbrojtje tek Ti nga Zjarri", sepse nuk ka shpëtim nga veprat e shëmtuara, veçse me mirësinë Tënde. "...dhe çdo gjë që të afron tek ai, qoftë fjalë apo vepër", nga mëkatet që të zemërojnë Ty. E katërta: Lutja për të qenë i kënaqur me caktimin e Allahut. "Dhe të lus që çdo caktim që ke caktuar për mua ta bësh të mirë!" D.m.th., çdo çështje që Allahu ka caktuar për mua, ta bëjë të jetë në të mirën time. Kjo është një lutje për të qenë i kënaqur me caktimin e Allahut.