Profeti ﷺ ka treguar në hadithin kudsij se Allahu i Lartësuar ka thënë: ''Atij që e lëndon një mik Timin, e zemëron dhe e urren, ia kam bërë të ditur dhe ia kam shpallur armiqësinë Time.'' Miku i Allahut (velij) është besimtari i devotshëm. Sipas shkallës së imanit dhe devotshmërisë që ka robi, është edhe hisja e tij nga miqësia e Allahut. Muslimani nuk i afrohet Zotit të tij me asgjë më të dashur për Të sesa me atë që Ai ia ka bërë obligim: kryerjen e adhurimeve dhe lënien e harameve. Pastaj, muslimani vazhdon t’i afrohet Zotit të tij me veprat vullnetare, bashkë me obligimet, derisa të fitojë dashurinë e Allahut. Kur Allahu e do robin e Tij, Ai e udhëzon dhe e drejton kah e mbara në këto katër gjymtyrë: I drejton dëgjimin kah e mbara e ai dëgjon vetëm ato fjalë që kënaqin Allahun. I drejton shikimin kah e mbara e ai sheh vetëm atë që Allahu do dhe pëlqen të shihet. I drejton dorën kha e mbara e ai bën me dorën e tij vetëm atë që i pëlqen Allahut. I drejton këmbën kah e mbara e ai shkon vetëm atje ku i pëlqen Allahut dhe vetëm te punët e mira. Veç kësaj, nëse Ai i kërkon diçka Allahut, Ai ia jep atë atij. Kështu, ai bëhet njeri që i pranohet lutja. E nëse kërkon mbrojtjen e Allahut, Ai e mbron atë nga gjërat që i frikësohet.