Profeti ﷺ në këtë hadith tregon se atë që e lexon Ajetin Kursij pas çdo namazi obligativ, nuk e pengon të hyjë në Xhenet asgjë përveç vdekjes. Ky ajet është në suren el Bekare, respektivisht Fjala e Allahut të Lartësuar: "Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur para tyre dhe çdo gjë që do të ndodhë pas tyre, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursia e Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!" (El Bekare, 255)