Profeti ﷺ në këtë hadith tregon se kushdo që thotë pas kryerjes së namazit obligativ: tridhjetë e tri herë: "Subhanallah", që nënkupton dëlirësimin e Allahut nga mangësitë. tridhjetë e tri herë: "Elhamdulilah", që nënkupton falënderimin e Allahut përmes cilësive të përsosura, me dashuri dhe madhërim. tridhjetë e tri herë: "Allahu ekber", që nënkupton se Allahu është më i madh se çdo gjë. Dhe të njëqindtën e plotëson duke thënë: "La ilahe il-lallahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kul-li shej'in kadir", kuptimi i së cilës është: Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit e pa ortak, dhe se Ai, është Ai që ka sundim të plotë, Ai që është i denjë për falënderim dhe lavdërim, duke i thënë këto me dashuri dhe madhërim, e duke besuar se askush tjetër nuk është i denjë për këto përveç Tij, si dhe se Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë dhe se asgjë nuk është e pamundur për Të. Kështu, ai që e thotë këtë, mëkatet do t'i fshihen dhe do t'i falen, edhe nëse janë të shumta, si shkuma e bardhë që ngrihet mbi ujin e detit kur dallgëzohet dhe egërsohet.